Boksierët e Vllaznisë nuk e kanë ndërprerë për asnjë moment stërvitjen që nga ditët e para të janarit dhe tashmë po bëhen gati për të marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por pikërisht këto ditë, për njërin prej tyre, vjen një lajm i keq. Bëhet fjalë për boksierin e talentuar, 21 vjeçarin Syrjan Marinaj.
Ai ka ndjerë shqetësime dhe për pasojë ka kryer të gjithë ekzaminimet e duhura të cilat i kanë nxjerrë një problem.
Sipas skanerit, rezulton që ky sportist të ketë “hernie diskale”. Për këtë arsye, padyshim që do t’i duhet pushim për disa ditë teksa do të kryejë edhe terapinë e duhur.
Por ky dëmtim dhe ky pushim vjen në një moment aspak të përshtatshëm për të. Ditën e nesërme ai do të udhëtonte drejt Durrësit ku të shtunën duhej të ishte në ring përballë boksierit Ardit Deliaj në “Titans Fights”.
Po ashtu, Marinaj ndonëse po stërvitej me shumë dëshirë prej kohësh, pikërisht prej këtij dëmtimi ka humbur mundësinë për të marrë pjesë edhe në Kampionatin Europian që do të zhvillohet gjatë këtij muaji në Rumani.
Këto janë pasojat e sportit dhe në fakt Marinaj këtë herë rezultoi i pafat sepse dëmtimi i ka ardhur në momentin më të mirë të karrierës së tij.
© shkodrasport.com