Mbyllja e sezonit futbollistik u shoqërua me një situatë aspak të këndshme për gjithë futbollistët e Vllaznisë.
Ata nuk mundën ta shpëtojnë skuadrën e tyre nga rënia prej Superligës dhe kjo natyrshëm i ka rënduar shumë nga ana psikologjike.
Madje, edhe sot, dy javë pas përfundimit të kampionatit, shumë pak prej tyre sheh në xhiro nëpër qytet.
Por, për njërin prej tyre “drama” nuk përfundon këtu. Mbrojtësit Denis Pjeshka gjërat i kanë shkuar edhe më keq sesa kaq.
Pikërisht në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Skënderbeut në Korçë, u dëmtua që në minutat e para duke u detyruar të largohet nga fusha e lojës.
U mendua se dëmtimi nuk ishte shumë serioz por në fakt, ka rezultuar tjetër gjë.
Nga ekzaminimet e bëra është dalë në përfundimin se mbrojtësi 22 vjeçar ka dëmtim të meniskut dhe nuk përjashtohet mundësia që duhet bërë ndërhyrje kirurgjikale.
Megjithatë vendimi përfundimtar do të merret në ditët në vijim pasi të bëhen edhe njëherë tjetër ekzaminimet. © shkodrasport.com