Nisja e karrierës me ekipin e Sepahanit në Iranin e largët, nuk ka qenë ashtu siç pritej por kjo periudhë e vështirë duket se po përfundon për mesfushorin shkodran Edon Hasani. Nga dita e sotme ai është bërë pjesë e grupit dhe pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Kranjçar. Siç u pat bërë e ditur, Hasani u dëmtua në pulpë në fillim të dhjetorit ishte pjesë e Vllaznisë dhe ai ka zgjatur jo pak.

Për këtë arsye, edhe me skuadrën e re nuk ka qenë i gatshëm për lojë. Por nga sot do jetë ndryshe. Këtë gjë e bën të ditur vetë Hasani në një prononcim për “Shkodra Sport” kur deklaron: “Mendoj se periudha e vështirë tashmë kaloi. Sot do të grumbullohem me ekipin në 18-she për herë të parë me skuadrën e Sepahanit, për ndeshjen që do të luajmë nesër në transfertë. Natyrisht që nuk pres të luaj si titullar sepse kam vetëm 3-4 ditë që po stërvitem me grupin. Megjithatë shpresoj që trajneri më të japë disa minuta aktivizim në pjesën e dytë dhe javën e ardhshme me shumë mundësi do ta nisë nga minuta e parë”.
© shkodrasport.com