Te Turbina nuk dihet se sa do të vazhdojnë pushimet, por drejtuesit e klubit po punojnë fort për të pasur një skuadër me pretendime sezonin e ardhshëm.
Ata kanë emëruar trajnerin Marcelo Troisi në krye të skuadrës pak ditë më parë dhe kanë firmosur me mbrojtësin Bruno Lipi.
Përforcimi i radhës duket se është sulmuesi fierak, Kejsjon Kumanaku, një 21-vjeçar që sezonin e fundit luajti me Albpetrolin në Kategorinë e Dytë dhe shënoi 16 gola.
Nga ana tjetër, nga cërrikasit vazhdojnë largimet dhe i fundit është sulmuesi Jurgen Peqini, të cilit i kishte përfunduar kontrata me klubin dhe nuk është më në planet e drejtuesve të tij.
Numri i të larguarve nga Turbina shkon në 6 tashmë. Gazeta mëson se me ekipin cërrikas pritet të bashkohen në vazhdim edhe pesë futbollistë brazilianë, për të cilët është bërë “shkes” trajneri Troisi.
Nuk ka ende detaje për ta, emrat dhe rolet, por trajneri garanton se janë lojtarë me kualitet dhe se do ta “blindonin” Turbinën.