Nga Endri ÇINARI
Vllaznia bëri dy afrime në merkaton e janarit, duke mos bërë lëvizje të shumta në një periudhë ku lojtarët cilësorë janë të vështirë për tu gjetur. Dy lojtarët që u afruan ishin Alfred Ajdarevic dhe Andrey Yago. I pari një fantazist i ardhur nga kampionati suedez, por që deri më tani i ka pasur hapësirat e pakta në formacionin kuqeblu.
I dyti i ardhur nga kampionati i Maqedonisë së Veriut dhe në rolin e mbrojtësit të majtë. Pikërisht Yago bëri debutimin e tij absolut me Vllazninë në ndeshjen çerekfinale të kupës. Ku shkodranët u mposhtën në 90 minutat e para të këtij raundi nga Erzeni me rezultatin 2-1. 26-vjeçari qëndroi në fushë për 76 minuta duke bërë një paraqitje mjaft pozitive.
Në mungesë të Hakajt, mbrojtësi u shfaq në nivelin e duhur. Duke lënë kështu një përshtypje të mirë dhe që garanton edhe për të ardhmen. Edhe në ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Dinamos, Hakaj është në dyshim për shkak të një shqetësimi muskulor. Me paraqitjen e zhvilluar në kupë, Yago me siguri do jetë pjesë e formacionit titullar.
Një alternativë mjaft cilësore në krahun e majtë për kuqeblutë. Të cilët në mungesë të Hakajt apo Spahijas që vuan prej kohësh nga dëmtimi kanë improvizuar shpesh. Ku kemi parë edhe Smajlin dhe Salen të luajnë nga e majta e prapavijës apo edhe Malen. E ndërsa me ardhjen e Yago duket se roli i mbrojtësit të majtë është dubluar mjaft mirë tek shkodranët./SHKODRA-SPORT.COM/