Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të kampionatit me një humbje. Shkodranët u mposhtën ditën e mërkurë në transfertë përballë Bylis në shifrat 1-0. Një rezultat që la një shije të hidhur duke parë edhe formën e mirë që po kalonin kuqeblutë. Megjithatë tashmë përqendrimi shkon tek java e 19-të dhe fillimi i fazës së tretë të kampionatit.

Ekipi i Joses në këtë raund do jetë mysafir sërish, e kësaj rradhe në Durrës. Në duelin e së hënës ku i pret Erzeni. Shijakasit që me të vërtetë tashmë nuk mund të konsiderohen një surprizë, por një realitet i këtij kampionati. Kjo pasi ka përfunduar gjysma e parë e këtij edicioni, ekipi i Kapllanit ndodhet në vendin e 5-të me 26 pikë.

Një pozicion mjaft komod për një ekip që konsiderohej i rrëzuar nga Superliga ende pa nisur kampionati. E për tu kthyer tek dueli me shijakasit, patjetër që paraqet një dozë vështirësie për Vllazninë.

Këtë e tregojnë edhe dy ndeshjet e këtij edicioni. Ku në fazën e parë Erzeni fitonte në shifrat 1-0 kundër kuqebluve e ndërsa në ndeshjen e fazës së dytë në Shkodër gjithçka përfundonte në shifrat 2-2.

Erzeni së bashku me Egnatian janë dy ekipet të cilat Vllaznia nuk ia ka dalë dot që ti mposhtë deri më tani në këtë edicion. Patjetër të hënën shkodranët do duan ta prishin këtë statistikë. Kjo edhe për tu kthyer edhe njëherë tek fitoret e rezultatet pozitive e për ta konsideruar hapin fals ndaj Bylis si të rastësishëm.
Endri ÇINARI