Nga Endri ÇINARI

Vllaznia po kalon momentin më të mirë në kampionat dhe pavarësisht barazimit me Partizanin, në shifrat 1-1, që nuk e zbeh formën e shkëlqyer të shkodranëve. Kuqeblutë dalëngadalë po “blindojnë” katërshen e parë të kampionatit. Pozicion që të lejon të luash shanset për titullin kampion deri në javën e fundit të kampionatit.

Por ndeshjet sa vijnë e vështirësohen dhe një e tillë është në këtë fundjavë. Në kuadër të javës së 22-të të Superiores, Vllaznia udhëton drejt Laçit. Një transfertë që historikisht ka qenë e vështirë për gjithë ekipet. Po ashtu edhe forma shumë e mirë që po kalon ekipi i Joses në këto javë. Bardhezinjtë kanë grumbulluar 9 pikë në 5 javët e fundit të Superiores.

Më mirë se kurbinasit ka bërë vetëm Vllaznia me 13 pikë dhe Egnatia me 12 pikë të grumbulluara. Duke treguar se edhe Laçi e ka kaluar momentin e vështirë dhe është larguar nga fundi i tabelës së klasifikimit. Një ndeshje mjaft e fortë kjo për kuqeblutë, që në fazën e parë u mposhtën me shifrat 2-1 në këtë duel.

Statistikat tregojnë se me 14 pikë të grumbulluara jashtë fushe, Vllaznia është ekipi i katërt që ka fituar më shumë pikë në transferta. E ndërsa në shtëpi Laçi po ashtu ka fituar 14 pikë këtë sezon, duke treguar kështu një duel goxha të balancuar dhe që patjetër do prodhojë një lufte sportive ditën e dielë në orën 13:30.