Orët e fundit të merkatos ishin të nxehta në klubin e Erzenit. Mësohet se kryefjala ka qenë bomberi Patrik Nonato, i cili është zbulimi i këtij sezoni në Kategorinë Superiore, duke shënuar deri më tani 8 gola.
Burime të “Panorama Sport” në klubin shijakas tregojnë se disa ekipe brenda dhe jashtë vendit, deri në Azinë e largët, kanë bërë oferta zyrtare për Nonaton. Shifrat kanë qenë deri në 150 mijë euro për blerjen e kartonit, por pas shqyrtimit të të gjitha mundësive dhe duke parë rolin e rëndësishëm që ka braziliani në skuadër, presidenca ka refuzuar çdo mundësi shitjeje të sulmuesit.
Drejtuesit e kanë konsideruar të pashitshëm në këtë sesion të merkatos golashënuesin më të mirë të skuadrës. Qëndrimi i tij në ekip ka kënaqur stafin teknik, që e bazon manovrën sulmuese pikërisht te braziliani, i cili ka qenë pikë referimi në çdo ndeshje. Nonato ka justifikuar besimin e klubit, duke u kthyer në pak kohë në prej lojtarëve më të rëndësishëm.
KUPA – Nesër Erzeni luan ndeshjen e kthimit ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana”, ora 16:00. Takimi i parë ka përfunduar 1-1 dhe gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin në çerekfinale. Trajneri Xhevahir Kapllani pritet të aktivizojë në derbi lojtarët që kanë gjendje më të mirë fizike, duke pasur parasysh edhe ngarkesën që kanë marrë këtë periudhë, teksa ndeshjet kanë qenë shumë afër njëratjetrës.