Nga Endri ÇINARI
Tashmë është kthyer në formën e duhur dhe në cilësitë që u bë i njohur në kampionatin tonë. Fjala është për Esat Malen, mesfushorin e Vllaznisë që momentalisht është një nga futbollistët më në formë të Superligës. Prizrenasi ishte edhe mbrëmë protagonist në fitoren 1-2 të Vllaznisë në Durrës kundër Teutës.
25-vjeçari ishte ai që e hapi llogarinë e golave në minutën e 20-të. Ku pas një topi të pasur mjaft mirë nga Delaj, ai u gjend në vendin dhe kohën e duhur për të dërguar sferën në rrjetë. Ky ishte goli i dytë rradhazi për ish-futbollistin e Partizanit, që në mesjavën e shkuar shënoi edhe ndaj Egantias. Duke treguar kështu një vazhdimësi edhe para portës kundërshtare.
Por jo vetëm goli, gjithashtu edhe loja ishin në nivelin e duhur nga ana e Males. I cili me vrapimet e tij karakteristike ishte një rrezik konstant për mbrojtjen durrsake. Po ashtu Mala dhuroi edhe një asist mjaft të bukur për golin e anulluar të Matuiti. E gjithashtu krosoi golin e shënuar nga Balaj në sekondat e fundit, që i dhuroi edhe fitoren Vllaznisë.
Tashmë në kuotën e dy golave në kampionat, Mala e ka “kaluar” veten në krahasim me sezonin e shkuar. Ku shënoi vetëm 1 gol gjatë gjithë sezonit 2023/24. Ai do kërkojë patjetër ta kalojë akoma më tepër limitin e tij me Vllazninë. Ku në sezonin e tij të parë me shkodranët, atë 2022-23 ka performancën më të mirë përsa i përket shënimit të golave, pikërisht me 3 të tillë./www.shkodrasport.com/