Nga Endri ÇINARI

Për të flitet pak në media dhe puna e tij lihet në “hije”, por kontributi i tij tek Vllaznia e këtij fillim sezoni është i padiskutueshëm. Fjala është për Andrey Yago, mbrojtësin e majtë të kuqebluve. Braziliani është shndërruar në një pikë të rëndësishme të formacionit të Brdaric. Duke qenë titullar në 6 ndeshjet e para të sezonit.

Ku duhet theksuar se 26-vjeçari ka “humbur” vetëm 5 minuta deri më tani. Pasi në ndeshjen kundër Tiranës u zëvendësua në minutën e 85-të. E ndërsa në të gjitha duelet e tjera ai e ka nisur dhe mbyllur ndeshjen. Madje duke zhvilluar lojëra për tu vlerësuar. Me një kujdes në mbrojtje dhe goxha i saktë me daljet në krahë dhe krosimet e tij, ish-mbrojtësi i Makedonija GP është shndërruar në një pikë të fortë.

Dhe në një moment ku u mendua se largimi i Hakajt në merkaton verore do linte një boshllëk në të majtë. Diçka e tillë është hedhur poshtë nga performana e brazilianit që e ka justifikuar totalisht besimin e stafit kuqeblu. Të cilët nuk kërkuan aspak për një zëvendësues të Hakajt në merkato. Duke i besuar totalisht Yagos, që ndoshta për momentin është mbrojtësi i majtë më i mirë në kampionat.

Gjithsesi konkurrenca nuk mungon as për Yagon, pasi edhe Spahija apo edhe Podrimcaku presin shansin e tyre. E patjetër që një konkurrencë e tillë është pozitive. Pasi mban çdo lojtar në tonus dhe të japë maksimumin sa herë që zbret në fushën e lojës./www.shkodrasport.com/