Vllaznia i mbylli 12 javët e para të kampionatit të këtij sezoni në vendin e 5—të të renditjes në kuotën e 19 pikë. Vetëm 3 pikë larg vendit të parë të mbajtur nga dyshja Partizani dhe Tirana në kuotën e 22 pikëve. Shkodranët kanë pasur një periudhë me ulje e ngritje në kampionat, por në javët para pushimeve, u duk sikur skuadra gjeti ritmin e duhur dhe u kthye duke bërë lojëra bindëse.
Por ka nga ata lojtarë tek kuqeblutë që kanë mbajtur peshën më të madhe tek skuadra e Joses. Një ndër ta është edhe Esat Mala. Prizrenasi i afruar tek 9 herë kampionët e vendit në merkaton e verës, ku kaloi nga Partizani tek Vllaznia është shndërruar në një nga liderët e ekipit. Jo vetëm që ai është një ndër lojtarët më të aktivizuar, por edhe një nga më të rëndësishmit përsa i përket golave të shënuar.
Kjo pasi numri 20-të ka dhuruar 3 asiste deri më tani për shokët e skuadrës. Pas tij vijnë Kaina dhe Gurishta me nga 2 asiste. Mala është kështu lojtari që ka nxjerrë më shumë gola deri më tani për kolegët e tij. Mala vlerësohet shumë jo vetëm për asistet, por edhe për lojën dhe ritmin që i jep ekipit për gjatë gjithë 90 minutave.
Ku është një nga futbollistët që vrapojnë më shumë dhe që kanë marrë edhe vlerësimet e tifozëve shkodranë. Në vijimin e edicionit pritet akoma më shumë nga 23-vjeçari, që në sezonet e fundit ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Superiores.
Madje ai e di mirë edhe se si fitohet titulli kampion, ku në edicionin 2018-19 u shpall kampion me ekipin e Partizanit. Një arritje të tillë ai do përpiqet që ta realizojë edhe në Shkodër, ku prej 2-3 sezonesh ekipi është në garë për trofeun më të rëndësishëm në vend.
Endri ÇINARI