Duket se puna e mirë e akademisë Vllaznia ndër vite po tregon frytet e saj. Kjo pasi disa nga elementët më të spikatur të kësaj akademie po bëjnë karrierë të suksesshme. Një ndër ta së fundmi duket se do jetë edhe Xhoel Hajdari. 18-vjeçari shkodran që mendohej se do ishte pjesë e ekipit të parë është transferuar në Itali.
Ditën e sotme është zyrtarizuar kalimi i tij në apenine, ku do jetë pjesë e ekipit të Sorias. Skuadër që militon në Serie D të vendit fqinj dhe që tek Hajdari duket se shohin një element të prespektivës. Në rolin e mesfushorit dhe me një fizik për tu pasur zili, Hajdari ka spikatur në të gjithë grup moshat ku ka qenë pjesë e Vllaznisë.
Madje me formën e treguar ka qenë edhe pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë. Po ashtu në raste të veçanta futbollisti shkodran është aktivizuar edhe si qendër mbrojtës. Duke parë shtatlartësinë dhe forcën që zotëron. Tashmë eksperienca e parë si profesionist do jetë në Itali për djaloshin, i cili patjetër bën krenarë akademinë Vllaznia.
Një akademi që ndër vite ka nxjerrë dhe prodhuar futbollistë cilësorë. Të cilët kanë bërë karrierë jo vetëm brenda territorit shqiptar. Por edhe jashtë vendit.
Endri ÇINARI