Merkato e janarit po afron dhe për shumë elementë të kombëtares shqiptare të futbollit, kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të kaluar në ekipe ku mund të aktivizohen më rregullsiht, apo për ata që kanë spikatur me lojën e tyre, të bëjnë hapin e radhës në karrierë.

Ky rast i dytë i përket më shumë Emanuele Ndojit, i cili po shkëlqen te Breshia dhe tashëm ka tërhequr vëmendjen e klubeve të Serisë A, sidomos pasi ka filluar të aktivizohet edhe me përfaqësuesen kuqezi.

Nga përtej Adriatikut bëhet e ditur se Ndoj është kthyer në objektin e interesit të klubit të Empolit, i cili ka si gjithmonë një marrëdhënie të mirë me futbollistët shqiptarë, pasi në radhët e tij ka luajtur më parë Hysaj e tani aktivizohet Veseli.

Klubi italian kërkon përforcime cilësore për mesfushën, djem të rinj, të cilët të garantojnë për të ardhmen dhe Ndoj është një prej atyre që ka piketuar për merkaton e janarit pasi ka spikatur në Serinë B duke treguar se mund të luajë në nivelet më të larta.

Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë të shkëputë lojtarin nga Breshia, e cila shpenzoi disa vite më parë 1,2 milionë euro për të siguruar kartonin e tij nga Roma, në akademinë e të cilës aktivizohej futbollisti shqiptar.

Gjithçka komplikohet edhe nga fakti se gjatë verës, kur po diskutohej për një transferim të mundshëm të tij, Ndoj rinovoi kontratën me Breshian, duke e zgjatur deri në vitin 2020 marrëveshjen me këtë klub./visport/