Nga Gjergj KOLA
Pavarësisht se Vllaznia u mposht në ndeshjen e fundit nga Egnatia me rezultatin 0-2, shkodranët treguan një nivel të kënaqshëm loje. Ku duke krijuar raste të shumta në pjesën e dytë, me pak fat rezultati mund të fliste ndryshe. Për të mos u ndalur dhe tek disa vendime arbitrare përgjatë 90 minutave që prishën disi balancat e një ndeshjeje që u zhvillua mbi ritmin e zakonshëm të kampionatit shqiptar.
Por një notë shumë pozitive ishte edhe prania e tifozëve të shumtë në shkallët e stadiumit. Të cilët me praninë dhe mbështetjen e tyre ndaj skuadrës i dhanë një bukuri tjetër ndeshjes. Në shkallët e “Loro Boriçit” ditën e dielë ishin të pranishëm një numër prej 3500-4000 tifozësh. Një rekord ky për këtë sezon në Shkodër, që tregon se mbështetësit janë aty për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës, shkodrasport.com
Po ashtu për të nxitur sa më shumë ardhjen e tifozëve në stadium ka menduar edhe klubi Vllaznia. Ku drejtuesit kanë vendosur prej disa javësh një çmim simbolik prej 100 lekësh në tribunën D dhe atë pas porte. Sektorë ku grumbullohen shumica e tifozëve thuajse në çdo ndeshje të Vllaznisë si vendasve.
Patjetër duke parë traditën dhe tifozerinë e zjarrtë që ka Vllaznia dhe Shkodra priten akoma më shumë të pranishëm nga ndeshja në ndeshje. Rezultatet dhe paraqitjet e këtij viti nga ana e Vllaznisë duket se kanë kënaqur tifozët shkodranë. Të cilët edhe në fund të takimit të humbur ndaj Egnatias, duartrokitën për skuadrën e tyre që zhvilloi një performancë më se pozitive.(www.shkodrasport.com)