Ivan Gvozdenoviç është i kënaqur që Skënderbeu i tij doli me pikë nga Vlora. Trajneri i korçarëve theksoi pas barazimit pa gola ndaj Flamurtarit se ekipi kishte bërë gjithçka si duhej dhe kishte ruajtur avantazh të rëndësishëm për sigurinë e ngjitjes në Superiore me dy vendet e para.

“E dija që do të ishte një ndeshje e vështirë se është derbi dhe gjithmonë është i fortë dhe pa shumë gola. Jemi të lumtur me një pikë, por erdhëm të mundoheshim të shënonim, kishim shanset tona, nuk i realizuam. Por le të themi se një pikë është e mirë për ne.

Ne erdhëm të fitonim, kishim një mundësi në pjesën e parë e dy në të dytën. Po mendonim si të merrnim tre pikët, por edhe të ishim të kujdesshëm për të mos pësuar se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat.

Kemi edhe katër finale, kemi 3 pikë më shumë se Flamurtari. Kemi katër finale dhe të shohim si shkojnë punët javë pas javë, janë shumë të rëndësishme për të gjitha skuadrat”, tha Gvozdenoviç për “Oversport” pas ndeshjes.