Andre Silva largohet përfundimisht nga Milani. Pas huazimit në sezonin e fundit te Frankfurti, këta të fundit kanë vendosur që të blejnë kartonin e lojtarit përfundimisht.

Sulmuesi portugez shkëlqeu me gjermanët këtë sezon duke shënuar 12 gola, duke i bindur kështu drejtuesit që ta blejnë kartonin e tij.

Pas huazimeve të njëpasnjëshme nga Milani, tashmë 23- vjeçari largohet përfundimisht nga kuqezinjtë ku u afrua në verën e 2017-ës, por nuk ia doli të gjejë dot vazhdimësinë. Kjo sjell edhe qëndrimin e Ante Rebiçit te Milani, me kroatin që pati një shpërthim të madh në fazën e dytë të kampionatit me Milanin, duke fituar zemrat e tifozëve kuqezinj.

Edhe akordi për kroatin duket çështje orësh, teksa mbetet për t’u përcaktuar shifra dhe mënyra e pagesës. Në këtë çështje përfiton edhe Fiorentina që do të arkëtojë 50 për qind të vlerës që do të paguajë “Djalli” pasi ruajti pronësinë e gjysmës së kartonit kur e shiti Rebiçin te gjermanët.

RUMUNI – Ciprian Tatarushanu ka kaluar vizitat mjekësore dhe tashmë mund të cilësohet si një lojtar i Milanit. Portieri që do të mbajë fanellën me numër 1, ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me ku qezinjtë dhe do të jetë rezerva për Xhanluixhi Donarumën.

Sipas “Tuttomercatoweb”, 34-vjeçari ka kompletuar transferimin nga Ligë 1 në Serinë A pasi ditën e djeshme ka kaluar me sukses edhe ritualin e vizitave mjekësore. Kjo nuk është hera e parë për Tatarushanun që luan në Serinë A, pasi më parë është aktivizuar te Fiorentina.

Përvoja, sidomos në aspektin ndërkombëtar (mbi 80 ndeshje si titullar i Rumanisë), bëri që zgjedhja kuqezi të binte pikërisht mbi gardianin rumun. Po dje, mbrojtësi ekstrem ka thënë edhe fjalët e para si kuqezi, teksa në hyrje të selisë së klubit ka deklaruar për mediat e pranishme: “Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e kësaj skuadre. Forca Milan!”