Ish-portieri i Tomorit, shkodrani Kristian Rroku ka mbyllur aventurën e tij në Berat. Gjërat për të nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe si rrjedhojë ka ardhur “divorci” i tij me beratasit.

Tashmë, pas këtij largimi, 20 vjeçari Rroku ka pasur oferta nga Kategoria e Parë, por edhe nga Kukësi. Megjithatë, nga sa mësohet, gardiani shkodran ka arritur akordin me Kukësin dhe me gjasë, ai do ta vijojë aty të ardhmen e tij.

Performancat e Rrokut me ekipin e Tomorit kanë qenë të mirë dhe duket se një gjë e tillë ka tërhequr vëmendjen e ekipit verilindor. Tashmë, pas aventurave jashtë vendit dhe në Kategorinë e Parë, portieri shkodran Kristian Rroku do të luajë për herë të parë në karrierën e tij në Abissnet Superiore gjysmën e dytë të sezonit.

Kujtojmë që ky portier është rritur në Greqi ku është formuar si sportist në Akademitë e njohura të AEK Athinë dhe Olimpiakos, ndërkohë që ka qenë edhe portier i kombëtareve U16 dhe U17 të Shqipërisë./M.P/SHKODRA-SPORT.COM/