Opinion
Nga Pjerin MIRDITA

Vllaznia, ekipi më  i vjeter në Shqipëri, natyrisht që na ka dhuruar gjithçka gjatë historisë se saj; gola, spektakël, fitore tenistike, humbje dramatike, anektoda e shumë e shumë gjëra të tjera. Na ka bërë të qajmë, por edhe të g2zojmë, kemi mbushur shkallët dhe tribunat, ashtu siç i kemi lënë edhe bosh kur e ka merituar. Na ka dhuruar njerëz të jashtëzakonshem në rrallë te parë, pastaj edhe futbollista të shkëlqyer. Gjërat që tifozat shkodranë kanë parë nga shkallët e stadiumit ndër vite, padyshim që janë më të veçantat në Shqipëri, por këta tifozë në ndeshjen kundër Skënderbeut, ndoshta panë edhe më të pabesueshmen. Sukaj, sulmuesi  i talentuar shkodran, refuzon të zbresë në fushë. Arsyeja? Para takimit askush nuk arrin ta shpjegojë, por menjëhere hamëndesohen problemet e disa javëve me parë, që kanë të bëjnë me lekët e lojtarit. Lajmi është një rrufe në qiell të hapur. Shumë tifozë janë në mëdyshje, të futen apo jo në stadium?! Normalisht ky efekt bën të veten. Ka prej atyre të dëshpëruar që largohen të zhgënjyer andej nga kanë ardhur, disa futen te lokali dhe preferojnë ta ndjekin në tv, por janë edhe ata, tifozët e vërtetë, që nuk hanë arsye sikur të mos kete ndodhur asgjë dhe me një besim për  t’u admiruar futen brenda për të ndjekur ekipin dhe jo individin. Pyetja lind spontanisht:  “A e meriton Shkodra një gjë të tillë, në një takim si ky, në një atmosferë të tillë”? Padyshim që përgjigja është  e qartë: “Kurrsesi”. Fanella e Vllaznisë është shumë e rëndë për t’u përbuzur në këtë mënyrë, historia, tradita dhe mbi të gjitha publiku nuk e meritojnë. Çfarëdo të ketë qënë arsyeja, Xhevoja dje nuk mund të justifikohet. Më vjen në mend rasti i Gjergji Muzakës në sezonin e kaluar. Një ditë pas vdekjes së të atit, ai zbret në fushë me shokët e tij, duke I marrë për dore drejt fitores. Duhej të rrinte në shtëpi dhe normalisht në atë moment futbolli është gjëja e fundit që mendohet, por ja që ai sakrifikoi nga ana shpirtërore dhe luajti. ”A thua vallë lekët janë më të rëndësishëm,nuk mund të mbyllte Sukaj një sy dhe ti tregonte të gjithëve se është më I fortë se drejtuesit duke bërë atë që di më mire,pra duke luajtur”?Në shumë raste futbollistët na kanë treguar se ky sport ka vlera humane dhe morale, por që çuditërisht një pasdite humbën pikërisht aty ku nuk duhej të humbnin, në Shkodër. Sukaj me këtë gjest në radhë të parë tradhëtoi shokët e vet, që normalisht për një ndeshje si kjo I varnin shumë shpresat tek talenti I padiskutueshëm I tij, tradhëtoi miq, fansa të cilët vijne në stadium ndoshta edhe vetëm për të. Mbi të gjitha, tradhëtoi ata të cilët janë fryma dhe qeliza e Vllaznise- tifozat, të cilët me shpresën e një ndeshjeje të madhe, dolën nga stadiumi të mundur dy herë, një nga Skënderbeu dhe mbi të gjitha nga Sukaj. Xhevoja është aq I mencur sa do ta ketë kuptuar edhe vetë kur ka parë atë atmosferë se ka gabuar,por tifozat nuk harrojne dhe ndoshta kur ekipi do ketë nevojë si asnjëhere,mund të refuzojne edhe ata të vijne në stadium,gjithmonë ka një herë të parë apo jo? Në fund të ndeshjes, fjalët e një tifozi të vjetër ishin tepër elokuente: “Gjithmonë na ke mrekulluar me golat e tu të pabesueshëm, nga çdo cep dhe çdo distancë, por sot shënove autogolin më të bukur të karrierës tënde dhe për më tepër në në një ndeshje si kjo. Xhevo, ne nuk ta patëm borxh”!