Slavisha Jokanoviç është kandidati surprizë për të marrë drejtimin e Çelsit. “Daily Mail” zbulon se tekniku i Fulhamit është një nga emrat që po merret në konsideratë nga bordi i kampionëve të Premier Ligës, pavarësisht se favoriti mbetet ish-trajneri i Barcelonës, Luis Enrike.

Por serbi Jokanoviç, i cili ka luajtur në “Stamford Bridge” gjatë 2000-2002, e ka befasuar pronarin Roman Abramoviç me punën e tij te Fulhami në Championship, me londinezët që prodhojnë një futboll sulmues ndryshe nga ai i Kontes dhe që nuk humbasin në kampionat që prej muajit dhjetor.

49- vjeçari vlerësohet si një figurë komanduese në dhomën e zhveshjes dhe një trajner që prioritet ka futbollin e bukur sulmues.

Me të, “Cottagers” janë skuadra me sulmin e dytë më të mirë së bashku me kryesuesit e Uolverhemptonit. Jokanoviç vlerëson shumë Zhoze Murinjon dhe mes miqve të tij është edhe Karlo Ançeloti, i cili ka ndikuar shumë në formimin e tij si trajner.

Jokanoviç nuk ka menaxhuar kurrë në Premier Ligë, pavarësisht se udhëhoqi Uotfordin drejt elitës në prill 2015, por u largua nga “Hornets” përpara se të niste sezoni për shkak të ngërçit në kontratë.

Pas saj, Jokanoviç udhëhoqi izraelitët e Makabi Tel Avivit deri në fazën e grupeve të Champions-it për herë të parë në 11 vite, përpara se të merrte timonin e Fulhamit.

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Palasin, Konte i hodhi poshtë zërat se ai ka pasur një kontakt me PSG-në:

“Unë te PSG? I lexoj dhe dëgjoj këto lajme që prej fillimit të sezonit. Mendoj se i kam përgjigjur dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga e shkuara”. Ai konfirmoi edhe rikthimin e Kantesë pas të fikëtit që i ra në stërvitje të premten e shkuar.