Nga Endri ÇINARI
Futbollistët shqiptarë tashmë kanë “pushtuar” Europën. Në kampionatet më të rëndësishme në kontinent militojnë futbollistë nga vendi ynë. Ku edhe çmimet e tyre në tregun e shit-blerjeve janë goxha të konsiderueshme. Kështu pavarësisht se ndoshta nuk po kalon një periudhë jo edhe aq pozitive, lojtari më i shtrenjtë mbetet Armando Broja.
Sulmuesi i Chelseas i cili u huazua në këtë merkato tek Fulham është futbollisti më i shtrenjtë shqiptar. 22-vjeçar ka një vlerë prej 28 milionë eurosh në treg. Duke e bërë atë të “pakapshëm” nga shokët e tij të kombëtares. Pas tij tek kuqezinjtë vjen Asllani, ku mesfushori i Interit ka një shifër prej 14 milione eurosh në merkato.
Treshen e 3 lojtarëve më të shtrenjtë shqiptarë e mbyll Gjimshiti, me mbrojtësin e Atalantes që vlerësohet 10 milionë eurove. Vlera të rëndësishme kanë marrë edhe dy prodhime të kampionatit shqiptar si: Uzuni me 9 milionë euro dhe Muçi me 8 milionë euro. Ku ky i fundit u transferua nga Legia tek Besiktas në Turqi gjatë merkatos dimërore.
Nga futbollistët shkodranë me vlerën më të madhe në merkato është edhe Hysaj. Kartoni i mbrojtësit të Lazios kap vlerën e 4 milionë eurove. E ndërsa po ashtu me paraqitjet e tij, Mitaj ka shtuar vlerat e merkatos për të. Ku tashmë ai vlerësohet me 1.5 milionë euro, shifër që patjetër pritet të rritet në muajt e ardhshëm./SHKODRASPORT.COM/