
Pritshmëria. Tifozët e Vllaznisë janë bërë të padurueshëm. 11 vjet pa një titull kampion, konsiderohet jashtëzakonisht shumë për ta. Një emër I tillë kaq I rëndësishëm I futbollit shkodran nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë kaq gjatë pa një titull. Edhe atëherë kur I shkoi shumë afër, në sezonin 2008-09, sërish nuk ia doli dhe ndoshta ky ishte pengu më I madh I ish-presidentit Valter Fushaj. Tashmë është një tjetër histori. Janë të tjerë drejtues dhe kuptohet që edhe ata të njëjtin objektiv. E ka thënë hapur kryebashkiaku Luka në pritjen zyrtare që I ka bërë ekipit ditën e hënë në zyrën e tij. Topi tashmë është në anën e ekipit. Bashkia, institucioni që ai drejton, ka bërë maksimumin e vet në këtë periudhë për ta mbështetur financiarisht ekipin e futbollit. Kuptohet që nuk është I njëjti investim që bën edhe Bashkia e Vlorës por këtu gjërat janë më ndryshe. Ka edhe sponsorë të tjerë, ka reklama dhe ka të ardhura nga biletat. Të gjithë këto faktorë sëbashku, krijojnë një klub të shëndoshë nga ana financiare dhe kjo është e rëndësishme për një skuadër futbolli. Futbollistët tek Vllaznia prej vitesh nuk janë qarë asnjëherë për shtyrjen e datës së rrogave dhe kjo është vërtetë për t’u vlerësuar.
Skuadra. Tek ajo nuk ka emra të bujshëm. Nuk ka as kontrata të mëdha. Ka një ansambël të krijuar me shumë kujdes dhe këtu padyshim që meritën e ka dyshja Grima- Duro. Ata kanë studiuar me shumë kujdes atë se çfarë po ndodhte në merkaton e futbollit shqiptar dhe kanë marrë 12 futbollistë, të gjithë gati pjestarë të tij. Përjashtim I vetëm është sulmuesi Rexha që vjen nga Kosova. Ajo që është e rëndësishme dhe ndoshta bën diferencën edhe me skuadrat e tjera pretendente, është stoli që ka Vllaznia. Emra si Gjokoviç, Belisha, Kraja, Semina, Tafili, Shtubina, Guri, Dema, Bardulla etj, janë ndoshta të rëndësishëm edhe si titullarë dhe prandaj garantojnë shumë gjëra me qëndrimin e tyre të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre kur t’I kërkohet. Tek skuadra shkodrane është krijuar një ansambël shumë interesant. Këtu ka meritë trajneri Duro që ka shtuar egon tek futbollistët dhe dëshirën për të bërë gjëra të mira këtë sezon. Jo më kot, vetë ai në takimin me kryebashkiakun- president, e mori përsipër tashmë përgjegjësinë e rezultateve të skuadrës. Sepse në fund të fundit nuk ka si shpjegohet ndryshe. Përderisa I janë plotësuar të gjitha kërkesat e merkatos, madje edhe tejkaluar, tashmë të gjithë presin frutet e punës. Dhe fruti më I rëndësishëm është padyshim titulli kampion nëse arrihet.
Gjergj KOLA