Izmir Smajlaj është kampioni në fuqi i atletikës për salla të mbyllura por një shkodran tjetër është në krye të ranglistës botërore sa i takon rezultateve më të mira në garat e kërcimeve të sallave të mbyllura. Madje në të dyja, si në atë të kërcimit së gjati ashtu edhe në trehapësh. Bëhet fjalë për Gëzim Dimnakun i cili prej vitesh jeton në Kanada ku nuk ka hequr asnjëherë dorë nga sporti.

Ndonëse ai tashmë është 45 vjeç, merr pjesë rregullisht në garat e moshave nga 30-50 vjeç dhe me rezultatet që ka arritur, është më i miri në botë!  Një rezultat fantastik për të.

Në garën e kërcimit së gjati, me distancën 6 metra, ai zë vendin e parë në ranglistën botërore për moshat 45-50 vjeç. Madje, edhe vendi i dytë i takon sërish atij. Edhe më i bujshëm është rezultati në trehapësh.

Me distancën 13.27 m dhe 13.21 m, Dimnaku mban vendin e parë dhe të dytë në ranglistën botërore për moshat nga 30-50 vjeç. Diçka e shkëlqyer për këtë sportist i cili përveç sukseseve në Shqipëri, tashmë në Kanada po bën bujë në mbarë botën. Këto rezultate kanë dalë sëfundmi në faqen zyrtare të “Word Masters Athletics”.

Duke folur në lidhje me këto rezultate, Gëzim Dimnaku do të shprehej shkurtimisht: “Jam i lumtur natyrisht sepse të jesh më i miri në botë në këto renditje, nuk është pak, por kjo ka ardhur falë stërvitjes sistematike dhe punës së bërë”.
© shkodrasport.com