Ditën e djeshme është zhvilluar ndeshja finale e play off në Serinë B për t’u ngjitur më pas në elitën e futbollit italian.
Skuadra e Hellas Verona ishte ajo që ia doli të mposhte Çitadelën, me rezultatin 3-0. Edhe pse veronezët ishin mposhtur në takimin e parë me rezultatin 2-0, ia dolën të përmbysnin shifrat.
Për skuadrën e Veronës aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla. Futbollisti pritej të ishte pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga tekniku Edi Reja për dy ndeshjet e qershorit, megjithatë për shkak të angazhimit me klubin veronez, Kumbulla nuk u grumbullua.
Ndërkaq, edhe në mbrëmjen e djeshme, ashtu si në ndeshjen e kaluar mbrojtësi nuk ishte i grumbulluar, por Kumbulla ka kontributin e tij për arritjen e objektivit madhor për veronezët, teksa gjatë sezonit 19-vjeçari ka qenë disa herë i grumbulluar me ekipin e parë, ndërsa ka pasur edhe mundësinë e aktivizimit./VipSport/