Silvan Çokaj është një prej atyre trajnerëve që ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë jashtë vendit. Në Shqipëri ka trajnuar vetëm për pak kohë, në Kategorinë e Parë me skuadrën e K.F Shkodra.

Mirëpo, 32 vjeçari ka patur synim tjetër dhe ka menduar që destinacioni më i mirë ishte Islanda. Atje tashmë trajnon skuadrën e IR Reykjavik U-16.

Në një intervistë ekskluzive për “newsport.al”, Çokaj rrëfehet për mënyrën si perceptohet futbolli atje, e deri tek niveli i Kategorisë Superiore në vendin tonë.

Sipas tij, këtu tek ne nuk zhvillohet futbolli, pasi thuajse të gjitha skuadrat janë të përlyera nga politika, e ndërsa të jesh trajner, duhet të kesh miq, ose xhepat me lekë.

– Si arritët që të shkonit në Islandë dhe të trajnonit atje?

Këtu kam 3 muaj që kam ardhur dhe sigurisht synimi ka qenë që të vazhdojë karrierën jashtë vendit. Në fakt, më duhet të them se sezoni këtu starton në maj dhe përfundon në tetor, por gjatë periudhës së dimrit ekipet aktivizohen në Kupa, që shërbejnë si parapërgatitje sezonale.

Unë kam tentuar që në vitin 2016 që kam ardhur për herë të parë, por vështirësia e gjuhës dhe letrave, kultura gjithashtu, nuk arrita të bëhem pjesë e ndonjë klubi. Më pas kam tentuar në vitin 2018, pata disa bisedime. Më pas, në vitin 2019 unë arrita të gjejë hapësirë në IR Reykjavik me moshat U-16.

– Na tregoni pak për frymën sportive në Islandë, futbollit në veçanti?

Të them të drejtën janë popull që e duan shumë sportin dhe futbollin në veçanti. Ndoshta rreth 80%, apo të them rreth 90% e fëmijëve këtu aktivizohen në sport në disiplina të ndryshme.

Nga se vjen ky fenomen?

Një rol të veçantë ka luajtur edhe shteti, sepse ka krijuar infrastrukturë komode dhe moderne pothuajse në të gjithë klubet. Normalisht që fëmijët dhe të rinjtë e frekuentojnë me kënaqësi sportin. Ngaqë janë një popull shumë i qetë, e marrin edhe futbollin me shumë qetësi, sam und të them që në moshat e vogla, deri nga U-9, deri tek grupmosha që kam unë (U-16), futbollin e quajnë si zbavitje. Nuk është se i kushtojnë shumë rëndësi rezultateve, por zhvillimit dhe progresit individual të futbollistëve.

– Po përse vendoset të shkonit në Islandë dhe nuk provuat diçka në Shqipëri?

Unë aktualisht në qershor mbush 32 vjeç. Gjithashtu, por bëj mbi 6 vite në trajnim në Shkodër në disa klube dhe grupmosha të ndryshme. Unë kam sakrifikuar shumë për karrierën time dhe për licensimin tim. Zgjodha Islandën, sepse kushtet ekonomike dhe pagesat janë qesharake në Shqipëri, plus që sot nga shumë faktorë është shumë e vështirë të bësh detyrën e trajnerit. Gjithmonë më kanë pëlqyer vendet nordike, për vetë faktin se të drejtat njerëzore respektohen në maksimum. Mbi të gjtha, vlerësohesh për atë që di të bësh.

– Po çfarë nuk shkon konkretisht në Shqipëri në këtë drejtim?

Po në Shqipëri pikë së pari, trajneri duhet të bëjë detyrën e drejtorit, menaxherit, punëtorit të fushës, e deri edhe policin. Më tej, asnjëherë nuk je i qetë të bësh detyrën tënde. Plus, që për të vazhduar përpara në karrierë, nuk vlerësohesh nga ajo çfarë di të bësh, por vlerësohesh nga xhepi dhe miku. Më parë, nëse je i famshëm edhe si futbollist. Ndërsa këtu e them me plot gojë që trajneri bën detyrën e trajnerit.

– Të ka ardhur ndonjë ofertë nga Shqipëria?

Jo, s’më ka ardhur ofertë nga Shqipëria, sepse nuk është se kam karrierë të gjatë në trajning, përveçse me mosha, ku ekipi i fundit që kan drejtuar, ka qenë K.F Shkodra në Kategorinë e Parë.

– Po nëse një ditë ju vjen një ofertë, do të riktheheni, apo dëshironi ta vazhdoni karrierën jashtë vendit?

Aktualisht të them të drejtën nuk e mendon aspak si opsion rikthimin. Në të ardhmen nuk i dihet. Ndihem vërtetë mirë dhe komod në punën që bëj këtu, gjithashtu edhe i vlerësuar.

– Silvan, të flasim pak për futbollin shqiptar. E ndiqni Kategorinë Superiore?

Sado larg që shkojmë, si unë, si edhe kolegët e mi, normale që futbollin shqiptar e ndjek çdo ditë.

– Ç’mendim keni për elitën e futbollit shqiptar, kush mendoni si del kampion?

Tani është e lehtë ta përcaktosh kampionatin, sepse me sa shoh, Partizani ka patur një ecuri pozitive këtë vit. Sikurse ka qenë Skënderbeu vitet më përpara, është Partizani sot. Mendoj se është ekipi më i mirorganizuar. Dua të citoj këtu edhe mbështetjen e të famshmes politikë, që ia ha “shpirtin” futbollit të vërtetë.

– Ç’doni të thoni me këtë?

Siç e them unë, e thotë shumëkush që e do futbollin e vërtetë. Ma thoni ju, cili klub nuk është i përlyer nga dora e politikës? Politika, leku, dhe njerëzit po ndërhyjnë deri në kampionatin e moshave.

– Po ju kur ishit pjesë e moshave tek Shkodra, keni patur raste presioni nga jashtë?

Nuk jam përballur me ndonjë gjë të madhe. Përveç të ndonjë rasti, pakënaqësi e ndonjë prindi për aktivizimin e djalit. Jam trajner që nuk lë hapësira për të tilla gjëra. Puna ime bazohet në 3 pikë: Seriozitet, disiplinë dhe përkushtim.

– Po tek Vllaznia si e komentoni situatën, pasi trajneri Agim Camaj ka paraqitur dorëheqjen për shkak të presioneve?

Realisht nuk e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me këtë situatë, përveç çfarë kam lexuar nëpër medie të ndryshme. Po përderisa Vllaznia nuk ka një president, nuk ka një “zot”, normalisht që dhe të tilla gjëra të turpshme do të ndodhin./newsport/