Karriera e tij këto vitet e fundit nuk ka shkuar ashtu si duhet edhe për atë se ka qenë i pafat duke kaluar disa dëmtime njëri pas tjetrit. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Armando Vajushi.
27 vjeçari nga Liteksi në Bullgari ku ishte në një formë të shkëlqyer, kaloi tek Chievo në Itali por aty gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet, duke kaluar më pas në disa skuadra të kategorisë së dytë në këtë vend.
Një rënie në karrierë, kur në fakt shkodrani pat arritur të luajë në gjashtë ndeshje edhe me kombëtaren shqiptare. Ndërkohë ditët e fundit po flitet shumë për një kalim të tij në Rumani, aty ku janë dy skuadra që e duan.
Vetë lojtari shpreson që të rikapë formën e tij më të mirë sportive dhe njëkohësisht të rikthehet edhe në kombëtare. Duket se për këtë të fundit ka edhe nostalgji sepse një ditë më parë ka publikuar në faqen e tij në instagram një foto gjatë njërit prej grumbullimeve me kombëtaren, aty ku është me shkodranin tjetër Bekim Balaj.
Ky i fundit vazhdon të jetë ende pjesë e kombëtares dhe prandaj edhe Vajushi shpreson të njëjtën gjë. Ai ne fakt, edhe pak kohe me pare u thirr nga Panucci por serish ishte i pafat sepse u demtua ne grumbullim.
© shkodrasport.com