Nesër luhet derbi i kryeqytetit, Partizani pret Tiranën në “Selman Stërmasi”. Emocionet e kësaj supersfide kanë mbërthyer të gjithë sportdashësit, futbollistë apo edhe ish-lojtarë që kanë kontribuar për këto ekipe. Një ndër ta është Ansi Nika.
Mesfushori shkodran tashmë luan në Kosovë, megjithatë interesin për Superioren dhe Tiranën s’e ka humbur aspak. Në një prononcim për Newsport.al, ai ka bërë një analizë të shkurtër për derbin, ku është shprehur:
“Jemi vetëm një ditë larg derbit dhe emocionet janë të pashmangshme. Është një ndeshje shumë e bukur, sfidë që padyshim i ka të tre rezultatet brenda.
Tirana s’po kalon një moment të mirë, megjithatë jam i bindur që tashmë ka ardhur momenti i kthesës. Unë kam qenë pjesë e asaj skuadre dhe e di shumë mirë çfarë do të thotë të luash për Tiranën.
Është një përgjegjësi e madhe për atë fanelë dhe atë qytet. Të gjithë ne lojtarët e dimë se ç’peshë kanë ato ngjyra. Si një ish, dëshira ime është të fitojë Tirana.
Besoj se ka ardhur koha që nga ky derbi të dalin triumfator bardheblutë, pasi kanë shumë vite që nuk kanë arritur fitoren”, tha fillimisht ai.
I pyetur më pas lojtarët që mund të jenë vendimtar në këtë takim, Nika deklaroi: “Unë kam besim tek dy futbollistë që i njoh mirë dhe mund të bëjnë diferencën. Mendoj se Hasani dhe Karabeci do të jenë vendimtar.
Nëse do ishte Greca, besoj se Tirana do të dilte me fitore nga kjo sfidë. Megjithatë le të shpresojmë që nesër është dita e bardhebluve“, përfundoi për newsport.al, Ansi Nika.