Sot në orën 18:00 luhet takimi i fundit i javës së 11 për Superligën shqiptare të futbollit. Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Bylisin, ekipin që ka bërë surprizën këtë sezon, duke u cilësuar si “hirushja” e Superligës. Ky është një takim që vendos përball dy ekipet që janë ngjitur këtë sezon nga liga e parë dhe që vjet rivalizuar për titullin e kësaj kategorie. Mallakastriotët do të fitonin 1-3 ndaj shkodranëve, duke ngritur trofeun e atij sezoni.
Për ndeshjen e sotme, ka folur Eridon Qardaku; talenti shkodran që ka dalë nga ekipet zinxhir të Vllaznisë, por që nuk u besua nga drejtuesit kuqeblu për të veshur fanellën e vendlindjes. Në një intervistë për newsport.al, ai ka cekur shumë tema, nga ndeshja e sotme ndaj ekipit të zemrës e deri te e ardhmja dhe Kombëtarja.
– Ndeshje e veçantë sot ndaj Vllaznisë, si ndiheni ?
Po, e drejtë. Është një ndeshje e veçantë për faktin se unë jam nga ky qytet. Mendoj se është njësoj me ndeshjet e tjera dhe vijmë në këtë takim vetëm për fitoren, duke vazhduar ndeshjet e mira që këmi zhvilluar.
– Nëse gjeni rrugën e rrjetës, do të festoni ?
Sigurisht që jo.
– Bylis është surpriza e Superligës, si e sheh ekipin në javët e ardhshme ?
Te Bylis ndjehem mirë, është një ekip me këmbë në tokë ku punohet mirë dhe duhet të vazhdojmë me këto ritme për të shkuar drejt objektivave.
– Nëntë ndeshje dhe një gol deri në këto momente për ju, ka ëndrra Qardaku për më tej?
Kam luajtur nëntë takime duke gjetur edhe golin ndaj Flamurtarit. Javën e fundit kam pësuar një dëmtim të lehtë dhe e kam kaluar, duke qenë gati për sot. Sigurisht që kam ëndrra, sepse unë jam një lojtar i ri dhe sapo kam veshur këpucët e futbollit. Kërkoj shumë nga vetja dhe jam akoma larg nga ajo që kërkoj prej vetes.
– Në Ballsh ndërthurret eksperienca me talentin, e shihni këtë eksperiencë si trampolinë për jashtë vendit ?
Siç e thashë më herët, në Ballsh punohet mirë dhe unë e shoh si një mundësi të mirë ku mund të zhvillohem. Duke iu referuar të ardhmes, padyshim që Bylis është një trampolinë dhe vitrinë e shkëlqyer.
– Me paraqitjet e mira jeni grumbulluar nga kombëtarja e moshave, a munden lojtarët e Superligës që të kapin Kombëtaren A ?
Normal që po, asgjë s’është e pamundur. Shpresoj dhe besoj se me punën e mirë do të rritem si lojtar, duke fituar një fanellë të ekipit Kombëtar. /Stavro Dhimitri/