Tirana ka shpëtuar në fund ndaj Skënderbeut duke fituar me rezultatin 1-0. Ishte mesfushori shkodran Edon Hasani që i dhuroi fitoren skuadrës kryeqytetase.

Ndeshja nuk kishte ritmin e duhur dhe pjesa e parë ishte mjaft e mërzitshme me të dy skuadrat që nuk dhuruan shumë në fushën e lojës. Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka me bardheblutë që ishin më këmbëngulës, por u mbrojtën majft mirë korçarët.

Goli i Kastriotit në Laç solli panik në “Selman Stërmasi”, por situatat u ndryshuan shumë shpejt. Edon Hasani arriti të ndëshkonte miqtë në minutat e fundit të lojës duke i falur qetësinë 24 herë kampionëve të vendit. Një gol shumë i çuditshëm, pasi ishte një aksion i rrëmujshëm me lojtarët e të dy skuadrave që nuk dinin se çfarë ndodhi.

Mbrojtja e Skënderbeut u përgjum, ndërsa Greca e Hasani përfituan nga ky moment. Tirana tashmë e sheh veten me pikë të barabarta me Luftëtarin dhe 5 pikë më shumë se krutanët. Me 4 ndeshje të mbetura, djemtë e Memës kanë më shumë qetësi.

Nderkohe Kastrioti ishte pranë mrekullisë në Laç, por në fund është ndalur me rezultatin 1-1. Një barazim që nuk ka shumë vlerë për të dyja skuadrat. Goli i Taulant Markut në minutën e 82′ u mendua se do t’i jepte 3 pikët krutanëve, por kur u mendua se gjithçka ishte mbyllur Lushkja barazoi rezultatin në minutën e 90’+2′.