Vitin e kaluar, Erald Lakti u largua nga fusha e lojës në finalen e Kupës së Italisë për të rinj mes lotëve. Fiorentina e tij ishte mundur nga Interi në finale dhe futbollisti pa zikaltërit teksa festonin me trofeun.
Këtë vit, lojtari shqiptar ka hedhur hapin e parë për t’u kthyer përsëri në finalen e Kupës, duke u hakmarrë pikërisht kundër Interit që i hoqi nga duart trofeun.
Shkodrani Lakti, i cili mban edhe shiritin e kapitenit në këtë sezon te Fiorentina, ishte titullar sot në suksesin e rëndësishëm 1-0 në transfertë të skuadrës së tij në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj zikaltërve.
Mesfushori shqiptar provoi dy herë që të gjente edhe vetë rrjetën, por u gjend përballë pritjeve të Dekiç i cili shpëtoi disa herë portën e tij nga gola të sigurt.
Lakti është një kontingjent i ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe është aktivizuar me U17 dhe U19, ndërsa tani pritet që të kalojë te U21 e Alban Bushit për edicionin e ri. /vipsport/