Kujtim Shala është një nga disa futbollistë të Kosovës, që kanë bërë histori. E ka nisur me ekipin modest të Lirisë në Kosovë, për të kaluar më pas në Serbi me Partizanin e Beogradit, Kroaci me Dinamo Zgreb, Rëne në Francë e një sërë skuadrash në Gjermani, përfshirë edhe Lejpcigun e Fortuna Dyseldorf.

Megjithatë, karriera e Shalës mund të ishte akoma më e ndritur nëse do të ishte treguar më i duruar në zgjedhjen e tij. Në momentin që nisi lufta në Kroaci në vitin 1991 ai aktivizohej me Dinamo Zagreb dhe i duhej të largohej.

Kishte dy oferta nga Rëne dhe Sevija. Shpejtësia e drejtuesve të francezëve bëri që Shala të humbiste mundësinë të luante me Maradonën, i cili disa muaj më pas iu bashkua Sevijas.

“Po në vitin 1991 në Kroaci nisi lufta, në Zagreb filluan të sulmohen kazermat e ish-Jugosllavisë e mua mu desh që sa më shpejt të largohem. Në atë kohë kisha dy oferta nga Rëne i Francës dhe Sevija e Spanjës. Të dy klubet më ofruan kushte të njëjta, por drejtuesit e Rëne u treguan më të shpejtë se ata të Sevijës dhe unë zgjodha Francën.

Nga kjo kohe tani mendoj se jam ngutur pak, sepse të shkoja në Sevilje do të luaja me Maradonën dhe karriera do të ishte edhe më e madhe. Në vend timin te Sevilla pati shkuar Davor Shuker”, kujton 55-vjeçari, që tani jeton në Gjermani bashkë me familjen. /vipsport/