Ka veshur fanellën e Shqipërisë dhe të Kosovës, ndërsa tani e tutje do të përfaqësojë Malajzinë. Liridon Krasniqi, mesfushori ofensiv 29-vjeçar shqiptar ka bërë dje debutimin e tij në radhët e përfaqësueses së vendit aziatik në një miqësore dhe pritet që të luajë edhe në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022 në ditët në vijim.
Krasniqi ka luajtur me Shpresat kuqezi një miqësore me Izraelin në vitin 2011, por që atëherë nuk u grumbullua më me përfaqësueset shqiptare.
Ai u ftua nga Albert Bunjaku me përfaqësuesen e Kosovës dhe u bë pjesë e ndeshjes historike ndaj Haitit që i hapi dyert e arenën ndërkombëtare “Dardanëve”, ndërsa më pas luajti edhen ë dy takime të tjera, por pa patur kurrë rol protagonisti.
I transferuar në vitin 2015 në kampionatin malejzian, Krasniqi ka patur një karrierë mjaft të mirë në këtë vend dhe falë qëndrimit në Malajzi për më shumë se 5 vite, siguroi edhe nënshtetësinë. Pak ditë më parë, për të erdhi ftesa nga përfaqësuesja e Malajzisë dhe mbrëmë, ai ishte titullar me fanellën me numrin 10 në këtë kombëtare në miqësoren e humbur 2-0 ndaj Bahreinit. /vipsport/