Data 18 maj do të jetë historike për volejbollin europian, por padyshim edhe atë shqiptar. Në atë datë, në Berlin do të luhet Superfinalja e Ligës së Kampioneve në volejboll për femra dhe për herë të parë, përballë do të jenë skuadra nga i njëjti vend, Italia. Pjesëmarrëse në këët aktivitet do të jetë edhe një sportiste shqiptare, volejbollistja e ekipit kombëtar, Erblira Bici.

Skuadra e saj, Igor Gorgonzola Novara, eliminoi fitueset në fuqi të VakifBan Stamboll dhe do të përballet me Imoko Vollei Koneljano, në finalet e turneut ku të dy skuadrat do të kërkojnë trofeun e parë në historinë e tyre. Kjo është hera e parë kur një finale zhvillet mes dy skuadrave të të njëjtit vend, pasi deri në vitin 2017 rregulloret e ndalonin një gjë të tillë duke pasur në garë vetëm nga një ekip për çdo vend.

Rekord do të jetë edhe shuma që fitohet nga kjo finale, pasi ekipi që merr medaljen e artë do të përfitojë 400 mijë euro, ndërsa 200 mijë euro do të jenë për vendin e dytë.

Bici, e cila ka nisur karrierën e saj në volejbollin shqiptar duke fituar trofe të shumtë me Tiranën e Barleti Volej, u transferua në Itali në vitin 2016, duke luajtur fillimisht me Mondovi e tashmë me Novarën. Me këtë të fundit ka fituar Kupën e Italisë ndërsa është mes pretendenteve për të fituar edhe kampionatin në Itali, ku rivale kryesore ka pikërisht Imoko. /vipsport/