Viti 2023 sapo u mbyll dhe pak orë na ndajnë nga hapja zyrtare e sesionit të ri të merkatos së futbollistëve. Në pritje të hapjes së merkatos për vitin 2024, le të shohim se kush janë klubet që shpenzuan më shumë në vitin kalendarik që sapo lamë pas.

Në vendin e parë, i shkëputur dukshëm nga rivalët, qëndron Chelsea. “Blutë” e Londrës shpenzuan 797,3 milionë euro në vitin 2023, duke përforcuar skuadrën me shumë elementë cilësorë, por pa arritur që të tregojnë forcën e tyre në fushë. Enzo Fernandez (121 milionë), Moises Caicedo (116 milionë) apo Mykhaylo Mudryk (70 milionë) janë vetëm disa nga blejet e bujshme të londinëzevë në vitin që sapo iku.

Në vendin e dytë qëndrojë arabët e Al Hilal, që shpenzuan 353,1 milionë euro në merkato vitin e kaluar. Neymar (90 milionë), Malcom (60 milionë) apo Ruben Neves (55 milionë) janë vetëm disa nga yjet që zgjodhën të transferohen në Arabinë Saudite.

Në shkallën më të ulët të podiumit qëndron PSG, që ka shpenzuar 349,5 milionë euro vitin e kaluar. Randal Kolo Muani (95 milionë) dhe Manuel Ugarte (60 milionë) janë blerjet më të shtrenjta të parisienëve në vitin 2023.

Më pas në këtë renditje të veçantë qëndrojnë me radhë: Arsenal (295 milionë), Tottenham (255 milionë), Manchester City (252 milionë), Liverpool (214 milionë), Manchester United (205 milionë), Newcastle (202 milionë) dhe Al Ahli (189 milionë).