Nga Endri ÇINARI

Para pak ditësh rinovoi kontratën deri në vitin 2026 me Vllazninë, e duket sikur kjo zgjatje e marrëveshjes me kuqeblutë ka motivuar më shumë se kurrë Andre Jago. Mbrojtësi brazilian ishte një nga më të dalluarit në fitoren e fundit 2-1 kundër Teutës. Inkursione të panumërta në krahun e majtë e madje edhe krosime të rrezikshme që duhet të ishin shfrytëzuar më mirë nga sulmuesit kuqeblu.

Duke mos harruar as golin e dytë dhe të fitores, që u “gatua” nga këmbët e 26-vjeçarit. I cili me një top të gjatë gjeti në mënyrë perfekte Balajn, me këtë të fundit që shërbeu për Gruden. Një performancë që mori edhe duartrokitjet e publikut shkodran. E që kënaq edhe stafin teknik të Vllaznisë, që ka siguruar linjën e majtë me formën e mirë që po kalon Jago.

Mëngjërashi i’u bashkua Vllaznisë merkaton e janarit të kaluar. Ku nga rradhët e Makedonija GP në Maqedoninë e Veriut, kaloi në rradhët e 9 herë kampionëve të Shqipërisë.

Këtë edicion ai është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm edhe pas largimit të Hakajt. Largim që tek Vllaznia nuk po e ndiejnë aspak falë performancave të brazilianit./www.shkodrasport.com/