Kolonia e futbollistëve shkodranë tek Bylis është goxha e madhe. Duke vijuar që nga Trumçi, Ivziku, Qardaku apo edhe Preka. Drejtuesit ballshiotë e kanë parë si pjesë të projektit të tyre, promovimin e elementit të ri, për ti shitur më pas në raste ofertash në skuadra të ndryshme.

E një prej atyre që cilësohet si një “thesar” i ballshiotëve, por edhe i kampionatit shqiptar është Marcelino Preka. Mbrojtësi shtatlartë, i formuar tek akademia Shkodra prej 2 sezonesh aktivizohet në rradhët e skuadrës mallakastriote. Preka vetëm 18-vjeçar duket se tashmë do bëjë gati hapin e madh në karrierë.

Tek Bylis shohin një futbollist nga i cili mund të përfitojnë shumë me shitjen e tij. Kjo pasi edhe një ofertë e refuzuat prej 100 mijë eurosh para disa kohësh nga ana e ballshiotëve tregon se sa e vlerësojnë ata mbrojtësin.

Bylis njihet në vendin tonë si një ekip që punon shumë mirë me të rinjtë dhe ndër vite ka bërë shitje të suksesshme të futbollistëve.

Endri ÇINARI