Vllaznia u-19 i rikthye tek fitorja ditën e djeshme në sfidën kundër Teutës. Kuqeblutë që pavarësisht se kishin zhvilluar lojëra të mira në javët e shkuara, nuk kishin marrë rezultatet e duhura. Por gjithçka duket se u kthye në rrugën e duhur me triumfin 3-1 kundër “djemëve të detit”. Një duel ku ekipi i Edmond Doçit dominoi gjithçka.

Një prej më të mirëve në fushë ishte edhe Kevin Dodaj. Djaloshi 17-vjeçar realizoi dy gola për kuqeblutë e vegjël, këto pas rrjetës së parë të realizuar nga Matija. Duke siguruar kështu fitoren dhe 3 pikë të rëndësishme për shkodranët. Dodaj shikohet si një nga ata sulmues të së ardhmes në futbollin shkodran, ku nga ai pritet shumë.

Përveç nuhatjes për golin, Dodaj spikat për teknikën dhe shpejtësinë e tij. Duke qenë kështu një rrezik konstant për mbrojtësit kundërshtarë. Një “bomber” i ri po rritet në akademinë kuqeblu, ku pas Kubazit që po spikat me gola tek u-17 është edhe Dodaj tek skuadra e u-19.

Patjetër që këto janë “shkëndija” për të ardhmen dhe tregon që akademia Vllaznia prodhon gjithmonë lojtarë cilësorë. Patjetër që ka ende punë për të arritur suksesin në të ardhmen, por elementët më të spikatur janë gjithmonë në fokusin e drejtuesve të ekipit të parë. Dhe kjo patjetër që duhet të shtojë motivacionin tek djemtë e rinjë shkodranë.
Endri ÇINARI