Vllaznia dhe Egnatia sot do kenë sfidën e rradhës në kampionat. Si shkodranët ashtu edhe rrogozhinasit duket se do jenë në garë ndaj njëri-tjetrit për një vend në Europë. Dueli i sotëm vlen si ndeshje “finale” për të arritur vendin e tretë. Dhe parashikohet po aq i luftuar, si ndeshja e kupës në mesjavën që lamë pas.

E nga kjo dyshe pritet një duel goxha interesant deri në fundin e edicionit si në kampionat ashtu edhe në kupë. E ndërsa sot duket se Egnatia vjen me qëllimin për të marrë sërish një rezultat pozitiv në Shkodër dhe trajneri Tetova duket se ka hartuar edhe formacionin titullar. Kështu në portë pritet si gjithmonë Alen Sherri, gardiani shkodran i rrogozhinasve.

Në mbrojtje nga krahu i djathtë do jetë po ashtu një shkodran tjetër si Fangaj e ndërsa majtas, një ekspert si Musta. Në qendër të repartit të prapavijës i sigurt duket Atanda ndërsa ka balotazh mes Malotes dhe Memolles. Në mesfushë krahas Agbekpornu priten edhe dyshja Mellugja dhe Fernando.

Në sulm do jetë personazhi më i rrezikshëm e Egnatias, Dwamena. Që mendohet se do ketë mbështetjen e Kases i cili rikthehet pas një dëmtimi dhe Laurentinos nga krahët. Një formacion sulmues ky i Egnatias që me të vërtetë ka qenë “macja e zezë” e Vllaznisë në këtë sezon në Superiore. Ku rrogozhinasit i kanë mposhtur dy herë shkodranët e po ashtu i kanë marrë edhe 1 barazim.
Endri ÇINARI