Vllaznia sot pasdite ka zhvilluar edhe seancën e rradhës stërvitore. Kuqeblutë pas fitores kundër Tiranës, tashmë po përgatiten për ndeshjen e rradhës ku sërish do jetë një transfertë. E të shtunën shkodranët do udhëtojnë drejt Rrogozhinës për tu ndeshur me Egnatian. Një takim po aq delikat sa ai kundër Tiranës.
Në stërvitjen e sotme të gjithë futbollistët kanë qenë nën urdhërat e trajneri Josa. Përjashto këtu vetëm Liridon Latifin, i cili po vuan ende nga dëmtimi dhe nuk pritet të luajë as këtë javë. Ndërsa Hakaj që gjithashtu ka vuajtur një dëmtim, është parë të bëjë vrapime i diferencuar e tek stafi mjekësor i kuqebluve janë optimistë që ai mund të zbresë në fushë që këtë javë.
Por në stërvitjen e sotme ka pasur edhe një fytyrë të re me skuadrën. Pas Ersi Zaganjorit që u bë pjesë e stërvitjes dje, rradha sot ka qenë e William Cungut. Mesfushori me tipare sulmuese ka qenë për herë të parë pjesë e stërvitjes me ekipin e parë. Cungu, 18-vjeçar është pjese e skuadrës u-19 të Vllaznisë.
Por duket se jo vetëm ai, por gjithë elementët më të spikatur të akademisë do kenë një vëzhgim special nga stafi i skuadrës së parë. Tashmë pritet që të gjithë të rinjtë të integrohen pak nga pak në skuadër, për të parë ecurinë e tyre dhe mundësinë për të kontribuar në të ardhmen.
Erald ÇINARI