Dita e sotme do shohë një tjetër aktivitet të rëndësishëm sportiv në Shkodër. Pas fitores së Vllaznisë në futboll javën e shkuar apo edhe sukseseve të rradhës së atletikës shkodrane ditën e djeshme, sot e ka rradhën që skenën basketbolli. Kuqeblutë e koshit do luajnë finalen e katërt kundër Teutës.

Tashmë të drejtuar nga Damian Bekteshi, shkodranët janë në disavantazh përballë durrskaëve që për momentin kryesojnë në shifrat 2-1. Prandaj ky duel i sotëm cilësohet shumë i rëndësishëm, për të dërguar të gjithë duelin, por edhe fatet e kampionatit në ndeshjen e fundit finale që do luhet në Durrës ditën e shtunë.

Tifozët duken edhe njëherë të organizuar për të mbështetur skuadrën. Njësoj siç ndodhi edhe javën e kaluar ku Vllaznia arriti një fitore spektakolare në “Qazim Dervishi” kundër Teutës. Për titullin e 10-të në histori që po kërkohet me aq ngulm prej kohësh duhet edhe një sforco e fundit.

Dueli do zhvillohet në orën 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës. Një përballje që pritet emocionuese pasi edhe Teuta mund të vulosë sot fitimin e titullit në kryeqendrën e veriut.

Endri ÇINARI