Vllaznia luajti ditën e djeshme kundër Flamurtarit në kuadër të raundit të 1/16 të kupës. Shkodranët u mposhtën nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1, ku përveç disfatës, një shije të hidhur la edhe loja. Kjo pasi kuqeblutë pas një fillimi të mirë të sfidës, e ulën ritmin totalisht.
Duke ndikuar kështu në shifrat përfundimtare të ndeshjes. Ku pavarësisht çdo gjëje gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin, ku do luhet edhe ndeshja e kthimit në Shkodër. Por një lojtar që duket se po fiton pak nga pak vendin në formacion dhe që tregoi një ritëm tjetër nga shokët e skuadrës ishte Rejan Alivoda.
Mesfushori 19-vjeçar mund të jetë i vetmi nga ndeshja e djeshme që e “kalon klasën”. Një performancë pozitive e ish-kapitenit të 19-vjeçarëve që po shfrytëzon në maksimum mundësinë e dhënë nga Josa dhe stafi teknik. Madje djaloshi përveç lojës së mirë, iu afrua edhe shumë golit.
Ku një goditje e tij nga distanca, përfundoi në traversë pas një devijimit nga mbrojtja vlonjate. Pas minutave me Egnatian, ndeshjes si titullar kundër Kastriotit dhe tashmë kjo në kupë kundër Flamurtarit, po rrisin dalëngadalë shkodranin.
Tashmë në të ardhmen me siguri ai nuk do konsideohet më thjesht si një alternativë, por një “kërcënim” për titullarët e tjerë që shohin akoma më tepër konkurrencë në mesfushë.
Endri ÇINARI