E kemi thënë shpesh se futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën dhe botën. Talente të rinj të lindur dhe rritur në shtete të ndryshme të kontinentit po bien në sy nga java në javë. I fundit është Andrea Filipi. Futbollisiti me origjinë nga zona e nën Shkodrës, së fundmi ka debutuar si profesionist në futbollin italian.
Ai ka zbritur në fushë në minutën e 80-të të ndeshjes Ascoli – Alessandria (3-0), për miqtë. Debutim ky për djaloshin e lindur me datë 29.04.2003, pra ende një 18-vjeçar ëndrra e të cilit bëhet realitet.
Ndeshja ka qenë e vlefshme për javën e 24-të të Serie B në Itali. Pavarësisht se skuadra e tij nuk arriti të merrte asnjë pikë, kjo do jetë një ditë e paharrueshme për Filipin.
Ai aktivizohet si një mesfushor me tipare sulmuese, por gjithashtu në krahët e sulmit. Filipi dallon për goditjet e tij me të majtën dhe pasimet preçize për shokët e skuadrës.
Mëngjërashi ka qenë edhe pjesë e skuadrës u-17 të kombëtares shqiptare në të shkuarën, ndërsa tani po hedh hapat e tij të parë si profesionist në futbollin italian.
Endri ÇINARI