Në Shkodër vitet e fundit kanë harruar traditën, më saktë kanë hequr dorë dhe bëhet fjalë për drejtuesit që kanë pasur në dorë drejtimin e skuadrës. Shumë lojtarë të talentuar janë lënë në harresë, qëllimisht, ose nga paaftësia e drejtuesve.
Nëse dje firmosi te Bylisi Eridon Qardaku, një tjetër talent ka lënë Vllazninë dhe bëhet fjalë për Akile Ndrecën që shkëlqeu me moshat sezonin e shkuar. Në Shkodër e kanë afruar edhe në ekipin e parë, por në Kategorinë e Parë nuk i besuan, me pretekstin se skuadra nuk mund të eksperimentonte pasi donte që të kapte ngjitjen në Superiore.
E tashmë, Vllaznia nuk e ka më Ndrecën sepse djaloshi i talentuar ndodhet në Itali, aty ku është në provë në një skuadër italiane, me ëndrrën për të vijuar atje karrierën.
E në Shkodër vazhdojnë me pretendime se do të ndërtojnë një Vllazni të madhe, me nigerianë anonimë, brazilianë apo lojtarë të tjerë, ndërsa talentet dhe e ardhmja janë në harresë dhe spikasin diku tjetër…!/vipsport/