Laçi po kalon një moment kritik në këtë start të kampionatit, teksa ka pësuar tri humbje radhazi, si asnjë ekip tjetër.
Megjithatë, sot në orën 17:45 në Durrës kundër Erzenit, kurbinasit e drejtuar nga malazezi, Dejan Vukiçeviç, kanë shansin e artë për të bërë kthesën e madhe.
Një tjetër disfatë do të thoshte “tërmet” për stafin teknik dhe penalizime për lojtarët. Pra, Vukiçeviç rrezikon seriozisht shkarkimin për herë të dytë, ndërsa futbollistët mund të gjobiten për këtë ecuri jo të mirë.
Kësisoj, fitorja shikohet si alternativa e vetme në këtë moment për të ndryshuar situatën në kampin kurbinas, aq më tepër që përpara është edhe një pauzë prej rreth 2 javësh e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares në Ligën e Kombeve.
“Panorama Sport” mëson se Vukiçeviç ka disa dilema në krahët e mbrojtjes dhe në mesfushë për formacionin anti-Erzeni.
Në balotazh për një vend në të djathtë janë Roganoviç dhe Cucin, ndërsa majtas Turkaj dhe Ziko. Dilema ka edhe për qendrën e mesfushës, aty ku nuk dihet ende nëse do të jetë i gatshëm Serxho Ujka, që mungoi për shkak dëmtimi me Bylisin.