Kam qenë në Durrës ditën e dielë për të ndjekur ndeshjen Teuta- Vllaznia dhe sigurisht që jam zhgënjyer jo vetëm nga rezultati por më tepër nga mënyra e të luajturit. Sigurisht që në futboll është normale edhe të humbësh por luan futboll. Vllaznia them se të dielën ishte ndër ditët më të këqija të saj. Duke përjashtuar një pjesë të dytë të ndeshjes ku krijuam pak më shumë volum loje sesa kundërshtari, asgjë tjetër nuk pati për të shënuar. Ne presim më shumë nga Vllaznia me të drejtë sepse duke parë harxhimet që janë bërë për blerjen e këtyre lojtarëve dhe merita shkon këtu për Bashkinë Shkodër që ka sakrifikuar jo pak nga ana financiare, këta futbollistë duhet ta justifikojnë më mirë veshjen e fanellës së Vllaznisë. Por megjithë respektin që kam edhe për trajnerin Duro, ende nuk po shohim një Vllazni që të luaj bukur. Po t’i referohemi rezultateve të ndeshjeve të deritanishme janë përgjithësisht rezultate të ngushta, barazim, fitore me një gol, fitore me gol mbrojtësish. Mendimi im është se duhet ndërhyrë në këtë drejtim për të rregulluar diçka. Pjesa e parë e ndeshjes në Durrës duhet harruar njëherë e mirë. Kam dëgjuar për deklaratën e fundit të trajnerit Duro se ka thënë që nuk më intereson loja e bukur por rezultati. Unë kam shumë respekt për të, e përsëris, por të thotë një trajner që është mësuar të dalë edhe kampion se nuk i intereson loja, kjo më duket e pakuptimtë. Rezultati vjen duke luajtur bukur dhe duke shënuar gola. Nuk duhet të rrimë në shpresën e Zotit nëse do ta shënojmë sot një gol dhe ta fitojmë ndeshjen. Atë duhet të kërkosh duke sulmuar dhe duke shënuar. Sa i takon ndeshjes së kupës me Shkumbinin, unë do ta quaja një rezultat shumë të keq atë të ndeshjes së parë të fituar 1-0 nga peqinasit. Vllaznia duhet të luajë në sulm por si asnjëherë tjetër duhet të bëjë kujdes edhe në mbrojtje. Një gol i peqinasve do të thoshte se skuadrës, do të thoshte se skuadrës shkodrane i duhet të bëjë tre dhe kjo është pak e vështirë duke parë edhe problemet e saj në sulm. Megjithatë kam shumë besim se kualifikimi nuk do jetë asnjë problem por frikën më të madhe e kam tek ndeshja e fundjavës me Tiranën për kampionat. Ajo ndonëse ndodhet në një situatë kritike, do kërkojë patjetër pikë në Shkodër dhe prandaj duhet bërë shumë kujdes ndaj kësaj skuadre.
*Mjeshtër i Madh. Sportdashës i zjarrtë i Vllaznisë
Një trajner kampion s’duhet të luajë në mbrojtje
Opinion nga Bujar QAMILI*