Dita e sotme është e veçantë për futbollistin e Vllaznisë Mevlan Adili. Ai pikërisht një vit më parë erdhi për herë të parë në Shkodër dhe firmosi menjëherë me klubin shkodran duke u bërë pjesë e tij.

Dhe sot pas një viti, shqiptari i Shkupit duket mëse i lumtur për këtë zgjedhje që ka bërë duke postuar edhe një foto nga ceremonia e firmosjes së kontratës një vit më parë dhe në të ai shkruante:

“Në këtë ditë një vit më parë, ndjehem me fat”.

26 vjeçari erdhi janarin e vitit të kaluar në Shkodër dhe firmosi një kontratë njëvjeçare me Vllazninë, por në verën që shkoi rinovoi edhe për dy vite të tjera.

Kjo do të thotë se ai ndjehet i lumtur në rradhët e kësaj skuadre dhe për më tepër, i vlerësuar edhe nga tifozët shkodranë me të cilët ka krijuar raporte të veçanta.

Adili konsiderohet një nga pikat më të forta të Vllaznisë dhe një mbrojtës i pakalueshëm teksa sëbashku me Gurishtën, Imamin dhe Isaevskin kanë krijuar një repart shumë të fortë./SHKODRA-SPORT.COM/