Përfaqësuesja Shpresa ka luajtur sot edhe miqësoren e dytë në turneun kroat, ku këtë radhë është përballur me ekipin vendas. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi, i cili po ndërton skuadrën për edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të Europianit, është mundur me të njëjtat shifra si pak ditë më parë nga Maqedonia e veriut, pasi ndeshja edhe sot u mbyll me rezultatin 3-1.
Në një sfidë ku kuqezinjtë kanë gabuar jo pak në mbrojtje, vendasit kanë kaluar në avantazh që në minutën e 11-të, teksa shifrat janë barazuar në minutën e 20 nga kuqezinjtë. Por vendasit e kishin shumë të thjeshtë të depërtonin në mbrojtjen kuqezi, duke shënuar edhe dy gola të tjerë para fundit të pjesës së parë.
Edhe pse Kroacia ndërroi të gjithë skuadrën në pjesën e dytë, përsëri kuqezinjtë nuk arritën të përfitonin për të shkurtuar diferencën e kësisoj, sfida u mbyll me rezultatin 3-1 për vendasit.
Ky turne i Shpresave ishte ideuar me kombëtaret e edicionit të ardhshëm pikërisht për të parë në veprim kandidatë potencialë për të veshur fanellën e kësaj përfaqësueseje dhe për momentin, bilanci i Shqipërisë me 2 gola të shënuar e 6 të pësuar, nuk jep shumë optimizëm.
Formacioni titullar i Shpresave: Lilo, Smajli, Mitaj, Gjini, Goga, Ismajli, Frroku, Pajaziti, Berisha, Shpendi, Toçi.