Arsenali ishte shumë pranë titullit kampion në Angli këtë sezon, por vetëm në javët e fundit, “topçinjtë” gabuan disa ndeshje duke i dhënë mundësi Sitit për të mbrojtur trofeun. Për Granit Xhakën, meritat për këtë sezon i takojnë trajnerit Mikel Arteta, për të cilin thur elozhe.
Në një intervistë për mediat angleze, Xhaka kujton se në fillim të sezonit, objektiv ishte pjesëmarrja në Champions ndërkohë që shton se se të gjithë do të ishin dakord për të firmosur një sezon të tillë.
“Për mua, Arteta është më shumë se një trajner i duhur për këtë skuadër. Nuk e harrojmë atë që ka ndodhur në këto 11 muaj. I humbëm këto dy ndeshje por nuk duhet të harrojmë se çfarë kemi bërë.
Nëse dikush do të na thoshte para sezonit se do të jemi këtu, mendoj se të gjithë do ta nënshkruanin. Synimi ynë me siguri ishte të ktheheshim në top katërshe. Tani jemi të dytët. Sigurisht që kur je kaq afër titullit, dëshiron ta fitosh”, u shpreh Xhaka.