Erald Çinari është një nga lojtarët më të njohur në kampionatin shqiptar. Futbolli duket se është traditë familjare për familjen e thjeshtë shkodrane që veç fushës së blertë ka zgjedhur të kontribuojë edhe përmes “penës së artë”.

Bëhet fjalë për një tjetër “Çinar”, ndoshta nga fiziku krejt ndryshe nga Eraldi, por me dëshirën e njëjtë për të bërë më të mirën në futbollin shqiptar.

Endri Çinari, gazetari i ri sportiv në Shkodër që dalëngadalë ka nisur të ngjisë shkallët e të zërë një vend të rëndësishëm në tribunën e “penës”. Së fundmi ka nisur një projekt në televizionet lokale, të cilin ka preferuar ta mbajë të fshehtë deri në vënien në “skenë” të tij.

Një histori ndryshe dhe e veçantë që vjen pikërisht nga “djepi i futbollit shqiptar”. Nëse një ditë të dy mund të hanin “pa ia ndjerë” në një pjatë, sërish do të mund ta bëjnë si djem “axhash”, por Eraldi i Partizanit këtë herë është i detyruar të “mbajë gojën të mbyllur”. Arsyeja? Eh, gazetari s’bën kompromis me lajmin! /newsport/