Ndriçim Shtubina ka folur për Supersport, teksa ka treguar aventurën e deri tanishme në skuadrën kurbinase.
Shkodrani ka rezultuar “njeriu gol”, megjithatë suksesin e tij ai ia dedikon të gjithë shokëve të skuadrës. Si një “xhol” për trajnerin Besnik Prenga, Shtubina ka deklaruar:

“Si çdo fazë, edhe kjo ka ngarkesat e veta. Skuadra është e ngarkuar maksimalisht, por unë jam mësuar me shumë trajnerë dhe kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Bëj punën e duhur në fushë dhe i respektoj trajnerët me punën time.

E kam diçka pozitive, luaj në shumë pozicione në fushë. Kjo është gjë e mirë për mua, sepse për çdo vend që hapet në formacion jam i gatshëm. Kemi zhvilluar dy faza deri diku të mira, por kemi mundësi për më shumë.

Në përgjithësi është grupi që bën diferencën. Çdo skuadër kërkon përforcime dhe për këtë problem merren drejtuesit. Gjithsesi, çdo futbollist është i mirëpritur këtu te Laçi, me djersë dhe punë mund ta arrijë formacionin”, ka përfunduar ai./vipsport/