Tjetër vlerësim për Igli Taren në Itali. Drejtori sportiv i Lacios u shpall pak kohë më parë “Drejtori më i mirë sportiv i 2017-ës”, duke sfiduar kolegët te klube më të mëdha në Serinë A, si Juventus, Milani, Inter etj.
Tani vjen një tjetër çmim i rëndësishëm për drejtuesin shqiptar të Lacios.
Po afron “Football Leader 2018” dhe pas atyre për Ranierin dhe Sedorfin, dy çmime të tjera janë dhënë për dy protagonistë të mëdhenj të Serisë A.
Trajneri i Sampdorias, Marko Xhanpaolo, ka fituar çmimin “Stoli i duhur”, ndërsa drejtorit sportiv i Lacios, Igli Tare, është vlerësuar me çmimin “Scouting Leader”.
Drejtuesi shqiptar i Lacios është vlerësuar për “Kompetencë të jashtëzakonshme në merkato, zbulues i shumë talenteve”.
Shumë lojtarë të blerë nga Tare janë afirmuar te Lacios, duke treguar se janë kampionë të vërtetë.
Keita, Milinkoviç-Saviç, Felipe Anderson, Luis Alberto dhe De Vrij janë vetë disa nga blerjet plot intuitë të Tares.
Çmimet për të dhe për trajnerin Xhanpaolo janë vendosur nga juria e “Football Leader 2018”, më saktë nga trajnerë të njohur dhe një komision i përbërë nga përfaqësues të shtypit sportiv italian.
Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet më 28 maj, në Napoli. / Vipsport/